LSDM-ja e konsideron të vonuar dhe të pamjaftueshme uljen e paralajmëruar të TVSH-së për karburantet, nga 18 në 10 përqind. Sipas partisë, Qeveria reagoi vetëm pasi rritja e çmimeve kishte rënduar standardin e jetesës së qytetarëve.
Të lidhura
None found
Partia opozitare rikujton se, që në nisje të krizës, kishte kërkuar uljen e TVSH-së për karburantet në pesë përqind, heqjen e menjëhershme të akcizës dhe vendosjen e tatimit zero për produktet bazë ushqimore.
“Qeveria nuk bëri asgjë. Lejoi rritjen e çmimeve, ndërsa qytetarët u detyruan të furnizonin automjetet me këste dhe të reduktonin blerjet. Tani, pasi dëmi tashmë është shkaktuar, paraqet një masë të pjesshme dhe pret duartrokitje”, deklaruan nga LSDM.
Sipas LSDM-së, kalimi i TVSH-së nga 18 në 10 përqind nuk mund të shihet si masë e marrë në kohë për mbrojtjen e standardit të jetesës, por si dëshmi e vonesës së Qeverisë në ndërhyrje.
“Kjo nuk është kujdes, por makeup i vonuar. Qytetarët fillimisht përballen me çmime të larta, ndërsa më pas Qeveria u kthen vetëm një pjesë të vogël dhe përpiqet të shfaqet si shpëtimtare”, theksuan nga partia.
LSDM-ja kritikoi gjithashtu deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se çmimi i karburanteve “në thelb nuk është i ulët”, por se është më i ulët krahasuar me vendet fqinje.
“Nuk mjafton t’u thuash qytetarëve se në një shtet tjetër paguhet më shumë. Karburanti nuk është luks, por mjeti që i çon njerëzit në punë, bukën në dyqan dhe mallrat në treg. Kur rritet çmimi i naftës, rritet kostoja e gjithçkaje”, u shprehën nga LSDM.
Partia opozitare kundërshton edhe argumentin se ulja e tatimit do të ndikojë në buxhetin e shtetit. Ajo akuzon Qeverinë se paratë publike i ka orientuar drejt shpenzimeve joproduktive dhe marrëveshjeve të dyshimta, në vend që t’i përdorte për masa mbështetëse për qytetarët.
“Pas muajsh mosreagimi, ulja nga 18 në 10 përqind nuk përbën politikë. Ajo tregon se Qeveria ka vepruar me vonesë. Një vendim i vonuar nuk e bën jetën më të lirë”, thanë nga LSDM.
