Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e paraparë për sot në orën 14:00, do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës. Në rend dite është votimi për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
PDK-ja, e udhëhequr nga Bedri Hamza, ka njoftuar se do ta bojkotojë seancën pas zhvillimeve që lidhen me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit dhe tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut.
Partia ka bërë të ditur gjithashtu se për zhvillimet e fundit do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Mospjesëmarrjen në mbledhjen e orës 14:00 e ka konfirmuar edhe Aleanca. Deputeti i saj, Burim Ramadani, ka thënë se subjekti politik nuk do të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit, pasi e vlerëson procesin si jokushtetues.
“Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Ramadani.
Sipas tij, Aleanca kishte propozuar një marrëveshje me gjashtë pika që më 26 qershor, me synimin për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të kontribuar në stabilitet.
“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën”, është shprehur Ramadani.
Ai ka deklaruar se oferta e Aleancës është refuzuar dhe se situata e krijuar po e orienton Kosovën drejt një krize të re politike.
“Aleanca zgjodhi Kosovën. Ata zgjodhën pushtetin e postet”, ka shkruar Ramadani.
Edhe AAK-ja ka mbajtur të njëjtin qëndrim lidhur me pjesëmarrjen në seancë.
