Pak orë para nisjes së marshit “Kosova po pret”, lagjja Ulpiana në Prishtinë është mbushur me flamuj kuq e zi, simbole kombëtare dhe qytetarë të shumtë.
Të lidhura
None found
Banorë të kryeqytetit dhe pjesëmarrës të tjerë kanë dalë për të siguruar flamuj e simbole kombëtare, ndërsa tubimi pritet të nisë në orën 14:00.
Liridon Kabashi është një prej qytetarëve që do t’i bashkohet marshit. Ai ka bërë të ditur se do të marrë pjesë së bashku me familjen, duke shprehur shpresën për lirimin e çlirimtarëve dhe kthimin e tyre në Kosovë.
“Po, gjithsesi do marrim pjesë në marsh. Me familje, me familje. Me familje, domethënë. Presim lirimin e çlirimtarëve dhe kthimin e tyre në Kosovë. Shpresojmë lirimin, por atëherë ata duhet t’i përdorin mjetet e tyre në shkallë të dytë dhe ne besojmë shumë dhe fuqishëm në pafajësinë e tyre”, ka thënë Kabashi.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Xhevdet Jakaj, ka deklaruar se beson që ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Ai ka rrëfyer edhe për përvojën e tij gjatë luftës.
“Normal që do të lirohen se janë pa faj. Ata kanë luftuar për vendin e vet, s’kanë shkuar me vra askënd në Serbi a kudo, po kanë luftuar për me mbrojt fëmijët e vet, nënat e vet, baballarët e vet, e për atë kanë me u shpallur pa faj. Po, jam ushtar, e kam lënë Zvicrën, 17 vjet kam pasur, vëllain tim kam marrë. Në ’98-ën në Shqipëri jam ka qenë në njësinë speciale në Durrës, një javë, tani kam shkuar në Koshare. Jemi plagosur në Koshare”, ka deklaruar Jakaj.
Marshit në Prishtinë pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga Tetova. Bekim Matrançi nga Pallatica ka thënë se ai dhe bashkëqytetarët e tij marrin pjesë vazhdimisht në aktivitete të tilla, në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe vende të tjera.
“Po, gjithmonë kemi marrë pjesë: në Prishtinë, Tiranë, Shkup, etj. Jemi të bindur se do të lirohen. Janë të pafajshëm dhe do të lirohen, 100% do të lirohen”, ka thënë Matrançi.
Edhe Bekim Xheladini, po nga Tetova, ka shprehur pritjen që ish-pjesëtarët e UÇK-së të lirohen. Ai ka treguar se ka qenë vetë pjesëtar i UÇK-së në Maqedoni.
“Pa tjetër sot do të vijnë. Pa tjetër sot do të vijnë bashkë. Pa tjetër! I kemi pasur luftëtarë, ashtu. E drejtë! Pa tjetër se e drejtë!”, ka deklaruar Xheladini.
Ramazan Mehmeti, nga fshati Pallaticë i Tetovës, ka ardhur në Prishtinë për të shprehur mbështetjen e tij për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Jemi në përkrahje të luftëtarëve tanë që kanë dhanë kontributin, rininë për këtë dhe, për këtë rini këtu çka jemi. Edhe i përkrahim, presim pa durim të lirohen. Janë të pafajshëm. Rinia e tyre ka shkuar për këtë vend, për këtë popull, për këtë rini, edhe duhet ky popull shqiptar të ketë përkrahjen e tyre, se po të mos ishin ata, s’ka as Kosovë, as Shqipëri, as shqiptari”, ka thënë Mehmeti.
Marshi “Kosova po pret” zhvillohet sot në Prishtinë dhe në të pritet të marrin pjesë qytetarë nga Kosova, si dhe nga trevat shqiptare.
