Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të mbështesë me votë një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Ai ka kërkuar që kandidatët për këto poste të diskutohen përmes takimeve mes subjekteve politike.
Sipas Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje do të votojë patjetër edhe një deputet ose deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit. Ai tha se këtë qëndrim e kishte shprehur më herët edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Të lidhura
None found
Kurti ka theksuar se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nga viti i kaluar nuk e obligon votimin vetëm për një kandidat të caktuar për këto pozita.
Ai ka bërë të ditur se synon të zhvillojë një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, ku do të shqyrtohen emrat e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit.
“Nuk kam dërgua ende ftesa. Unë po dua që të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat”, ka thënë Kurti.
Duke iu referuar qëndrimeve të deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, Kurti tha se ajo vitin e kaluar kishte kërkuar tërheqjen e Albulena Haxhiut, ndërsa këtë vit tërheqjen e Feride Rushitit. Ai përmendi gjithashtu bojkotin e votimit për Haxhiun për kryetare të Kuvendit, si dhe paralajmërimin e Çitakut për bojkot të zgjedhjes së presidentit.
Kreu i LVV-së e ka konsideruar të keqardhshme largimin nga procesi i konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se seanca e sotme ofronte mundësi për përfundimin e tij.
“Është për t’u ardhë keq që kësaj radhe as nuk takohemi e sot kemi braktisje të procesit të konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se partitë kishin insistuar më parë për konstituim urgjent të Kuvendit dhe kishin kërkuar që seanca të mos ndërpritej pa u finalizuar ky proces. Sipas tij, mundësia për ta bërë këtë sot nuk u shfrytëzua.
“Ju e dini që më herët thoshin që e kanë me urgjencë, se duhet të hyjmë në seancë dhe të mos dalim prej aty derisa ta kemi të konstituar Kuvendin. Sot ishte shansi për një gjë të tillë, por u lëshua ky shans”, ka thënë ai.
Megjithatë, Kurti është shprehur se ende ka hapësirë për marrëveshje dhe përmbyllje të konstituimit të Kuvendit.
“Nuk është tepër vonë, jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht e së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti.
