Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që të mbahet përgjegjës institucionalisht Bilall Kasami, duke pretenduar se gjatë shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Tetovë u vendos flamuri i Verginës, ndërsa nuk u përdor flamuri kombëtar shqiptar.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, bëhet fjalë për një çështje që shkon përtej protokollit dhe që tregon mënyrën se si pushteti trajton simbolin kombëtar shqiptar. Nga kjo parti kujtojnë se VLEN, në programin zgjedhor, kishte premtuar përdorimin e flamurit, himnit dhe stemës kombëtare shqiptare në mënyrë të barabartë me simbolet maqedonase, por këto zotime, sipas tyre, u harruan pasi koalicioni hyri në Qeveri pa legjitimitet nga vota shqiptare.
BDI përmend edhe raste të tjera që i konsideron si dëshmi të kësaj qasjeje. Fillimisht, thonë ata, Maksim Dimitrievski ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në zyrën e tij. Më pas, ministra shmangën paraqitjen e tij në fotografitë zyrtare, ndërsa gjatë fushatës për zgjedhjet lokale flamuri shqiptar mungoi edhe në vendet ku duhej të ishte më i pranishëm. Sipas tyre, i njëjti qëndrim u përsërit edhe në një festë shtetërore, ku përdorimi i flamurit parashihet me ligj.
“Paradoksi më i madh është se, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar është lënë jashtë, në qendër të Tetovës është vendosur flamuri i Verginës. Ky nuk është simbol zyrtar i shtetit dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Prespës. Për ata që premtonin barazi mes simboleve kombëtare, flamuri shqiptar nuk paska hapësirë, ndërsa një simbol i painstitucionalizuar qenka i pranueshëm në një ceremoni shtetërore. Kjo tregon më shumë se çdo deklaratë për politikën e tyre të sotme”, shprehen nga BDI.
Kjo parti u bën thirrje organeve kompetente të shqyrtojnë bazën ligjore të vendimit dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e personave që kanë urdhëruar, autorizuar ose realizuar vendosjen e flamurit të Verginës. Po ashtu, kërkohet shpjegim për arsyen e mungesës së flamurit shqiptar.
“Ligji nuk mund të zbatohet sipas interesit dhe premtimet për barazi nuk mund të shërbejnë vetëm për të siguruar votat e shqiptarëve. Kasami mund të bëjë kompromise politike për ta zgjatur qëndrimin në detyrë edhe për një ditë, por nuk mund të tregtojë dinjitetin dhe simbolin kombëtar shqiptar. 35-vjetori i pavarësisë duhet të shënohet si ditë e respektimit të shtetit, ligjit dhe barazisë, e jo si ditë turpërimi dhe mohimi të simbolit shqiptar”, deklarojnë nga BDI./Telegrafi/
