Partia qeverisëse OBRM-PDUKM ka përgënjeshtruar kategorikisht çdo komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky reagim erdhi pas deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili paralajmëroi se vendi mund të shkojë në votime në pranverën e vitit të ardhshëm.
Të lidhura
None found
“Nuk ka patur asnjë diskutim me BDI-në rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Dhe aq më tepër, as që na kalon nëpër mend të bisedojmë me Bujar Osmanin për çështje të kësaj peshe. Bujari, siç duket, mes dy temave nacionaliste dhe të sajuara, po trillon sërish një rrugë për të tërhequr vëmendjen,” deklaruan nga OBRM-PDUKM.
Deklarata e Osmanit u bë gjatë emisionit “Click Plus” në TV21, ku ai theksoi se subjekti i tij është i përgatitur për zgjedhje dhe se ky mesazh i është përcjellë edhe partisë në pushtet. “Sigurisht, në mënyra të ndryshme, ky qëndrim u është komunikuar edhe atyre. Nuk shohim ndonjë kundërshtim të fortë për këtë dhe ne presim që diku në pranverë të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, prandaj po bëjmë gati përgatitjet tona,” u shpreh Osmani.
