Për një sy të patrajnuar për çështjet e modës, nuk ka asgjë veçanërisht të jashtëzakonshme në lidhje me shtëpinë e modës Bottega Veneta.
Dizajnet e propozuara vazhdimisht nga kjo markë, janë gjithmonë të prezantuara butë, pa vëmendje të kërkuar me logo apo me emra siç jemi mësuar të shohim së fundmi e megjithatë, stili i saj ka arritur të “dominojë” imagjinatën e turmës duke u kthyer në emrin më të nxehtë në fushën e modës e për t’u shndërruar në “uniformën” më të re të ndjekësve të saj…
Gjërat ndryshuan për shtëpinë italiane të modës, pas emërimit të Daniel Lee si drejtor kreativ në vitin 2018-të. Përgjigja ndaj koleksionit të tij të parë ishte e menjëhershme dhe marka u katapultua shumë shpejt në qendër të vëmendjes…Qasja minimaliste ndaj të bukurës është përqafuar gjerësisht nga publiku edhe pse bëhet fjalë për një çantë me thurje e cila ka një vlerë të majme prej katër shifrash.
Sipas platformës Lyst të analizës së modës, shapkat me majë të Bottegës janë produkti më “i nxehtë” i momentit, produkti më i dashur për gratë dhe vajzat në botë. Me mbi 27 mijë kërkime në internet për tre muaj dhe me 156% kërkesë për këto këpucë gjatë shfaqjeve të modës pranverë-verë 2020, statistikat premtojnë shumë për këtë markë. Gjithashtu, nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe çmimet që Lee ka marrë gjatë vitit 2019.
“Dizajneri i aksesorëve i vitit” dhe “marka e vitit” janë dy nga çmimet me të cilat është nderuar drejtori kreativ i Bottegës gjatë vitit të kaluar. Në një kohë kur moda është shumë e shpejtë dhe stili është gjithmonë në kërkim, këto të dhëna janë seriozisht mbresëlënëse!
Nuk mund të injorojmë faktin se “ylli” i kësaj marke është gjithmonë në ngjitje. Edhe pse është e ditur tashmë që Bottega Veneta propozon një stil minimalist, Lee arrin gjithmonë të shtojë detaje interesante në koleksionet e tij duke i dhënë veshjeve dhe aksesorëve më shumë ngjyrë dhe stil e duke u diferencuar kështu nga të gjitha markat e tjera.
Kombinimi mes klasikes dhe modernes, por edhe luksozes dhe të “arritshmes” e bën emrin Bottega një emër shumë të fuqishëm në fushën e modës. “Daniel Lee ka sjellë një perspektivë të freskët e rinore, ka sjellë një sens modern në shtëpinë e modës Bottega Veneta”, është shprehur Cassie Smart, shefi i shitjes së veshjeve për gra dhe vajza në MATCHESFASHION.com. “Riinterpretimi i elementëve klasikë të dizajnit është diçka emocionuese për klientët e rinj, krahas tifozëve të përhershëm të markës që e duan atë me çdo kusht!
Në kohën që jetojmë, blerësit dhe adhuruesit e modës kanë filluar t’i japin më tepër vlerë blerjeve të tyre, ata gjithmonë e më tepër kërkojnë cilësi, jetëgjatësi në produkt dhe ndjenjën e ekskluzivitetit, element që shumë marka i kanë humbur në ditët e sotme, por Bottega Veneta i zotëron më së miri.
Fenomeni Bottega Veneta ka qenë më evident se kurrë gjatë javëve të modës në qytetet kryesore si New York, Londër, Milano e Paris në momentet që flasim. Ajo çka ra në sy në modën “street style” ishte që kishte blogger apo adhurues të modës të panumërt që kishin zgjedhur të visheshin me Bottega nga koka tek këmbët duke lënë pas të gjitha markat e tjera!