Nga Alfred Peza:
Kur në vitin 2006 drejtoja gazetën “Shqip”, fati e deshi që të bëhesha promotori i atij që është cilësuar si njëri prej debateve më të mëdha intelektuale të postkomunizmit në Shqipëri, mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes për “identitetin shqiptar”. Një debat që vijoi për afro tri muaj me radhë, në vorbullën e madhe të së cilës u përfshin edhe shumë akademikë, historianë, studiues, shkrimtarë, analistë e gazetarë.
Mu rikujtua ky moment pasi orët e fundit u bë virale në internet, video e një fëmijë që bashkëbisedon ndoshta me nënën, teksa i deklaron me lot në sy se ai nuk është kosovar, por shqiptar i Kosovës. Ky rrëfim i pafajshëm, përveçse prekës për nga dlirësia e ragimit të natyrshëm, përfaqëson me një qartësi çarmatosëse edhe thelbin e debatit që tentojnë herë pas here që ta nxisin, burra “me mjekër” në hapësirën shqiptare në Ballkan.
E kam fjalën për shkrimet e përsiatjet rreth asaj që ata e quajnë “identitet kosovar” ose debatit rreth “kombit kosovar”. Një tezë kjo që ka nisur të artikulohet sa më shumë i largohemi ditës së çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së saj. Ky debat nuk mori dhe ska se si të mari as edhe në të ardhen, përmasat e debatit të 15 viteve më parë, rreth identitetit shqiptar. Kjo për shumë arësye, që janë sqaruar e shteruar nga shumë të tjerë, më parë.
Një komentues shkruante poshtë videos së vogëlushit shqiptar të Kosovës, se “ajo është përgjigja e vetme për të gjithë ata që mbrojnë tezën absurde të identitetit kosovar. O të mjerë nuk ka identitet çam, myzeqar, lab, dukagjinas, matjan, zagoriot a dibran… Por, ka vetëm një popull dhe komb shqiptar. Pra, vetëm një identitet shqiptar.”
Atëherë kur u diskutua kjo temë Çapajev Gjokutaj shkroi se, jo vetëm termi “identitet kosovar” por edhe “termi identitet kombëtar është relativisht i ri në ligjërimet tona. Ka nisur të përdoret gjerë në gjysmën e parë të viteve 1990, sidomos pas debatit të njohur mes Ismail Kadaresë e Rexhep Qoses. Deri atëherë përdorej kryesisht termi “karakter kombëtar”.
Sipas tij, idetë dhe aspiratat e Rilindjes Kombëtare, ishin guri i themelit të ngrehinës së identitetit kombëtar. Por, do të duhej krijimi i shtetit shqiptar, veprimtaria e shkollave, teksteve mësimore, mediave, ushtrisë, festave e ceremonive kombëtare që projekti rilindas të përvetësohej masivisht nga populli dhe të merrte trajtën e një identiteti funksional, të kultivuar thellë.
Ajo që më shtyu më së shumti që ti hidhja këto radhës, është një përkim befasues në një moment kyç të historisë sonë këtu e një shekull më parë, pothuajse identik me atë të fëmijës së pafajshëm të epokës së sotme të internetit. Ishte viti 1923, kur i shumënjohuri nga historiografia shqiptare Gjeneral Enrico Tellini bashkë me një bashkatdhetar italian e një major britanik, nisën misionin disa mujor për caktimin e kufijve të Shqipërisë së Jugut.
Shumë prej fshatrave atë kohë, i pretendonte si pala shqiptare, ashtu edhe ajo greke. Zgjidhja u gjet përmes një truku të thjeshtë. Kur mbërrinin në sheshin e fshatit ku grumbulloheshin fëmijët, anëtarët e komisionit ndërkombëtar, hidhnin një grusht me monedha. Në përpjekje për të marë sa më shumë, fëmijët nisnin e shanin në gjuhën e tyre të përditshme, e cila ishte në masën më të madhe, shqipja. Pafajësia e fëmijëve bëri që shumë fshatra kufitare, ti bashkoheshin Shqipërisë.
Ata u bënë garantët e parë të mëdhenj, të kufijve të shtetit amë, atëherë kur ato ishin më të rrezikuara se kurrë në histori. Ndërsa pafajësia e fëmijës së sotëm, që nuk e pranon se është kosovar por shqiptar i Kosovës, është garancia kryesore e ruajtjes dhe e trashëgimisë së identitetit shqiptar.
Fëmijët janë shndërruar në një institucion, i cili qëndron në këmbë, mbi pafajësine dhe dlirësinë e tyre të përjetshme. Duke u bërë kështu, edhe garancia e patjetërsueshme jo vetëm e së shkuarës dhe e të sotmes, por edhe e të ardhmes së kombit shqiptar dhe identitetit tonë unikal.