Lavrov: Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit nuk do të jenë më të njëjta

Kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov tha sot se nuk do të ketë marrëdhënie mes Rusisë dhe Perëndimit siç ishin më parë dhe se nuk do të jetë e mundur të rinovohet bashkëpunimi për çështjet e sigurisë në Evropë në të ardhmen e parashikueshme.

Në një konferencë për shtyp, Lavrov tha se diskutimi për këtë problem është i mundur vetëm mbi “parime thelbësisht të reja” duke lënë pas të shkuarën.

“Është e qartë vetëm se nëse në një moment fqinjët tanë perëndimorë, dhe nuk ka shpëtim nga fqinjësia, fqinjët tanë perëndimorë dhe ish-partnerët befas interesohen për të rinovuar disi punën e përbashkët për sigurinë evropiane, atëherë ata nuk do të mund ta bëjnë këtë. Sepse restaurimi nënkupton atë që ishte më parë,” tha Lavrov.

Lavrov shtoi se veprimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe të vendeve perëndimore ngrenë pikëpyetje për të ardhmen e Rusisë në OSBE.

“Kur Perëndimi të kuptojë dhe nëse kupton se është më mirë të bashkëjetojmë mbi një bazë të dakordësuar reciprokisht, ne do të dëgjojmë se çfarë propozon Perëndimi dhe është e qartë se këto duhet të jenë fillime të reja thelbësore të bashkëpunimit,” tha ai.


Shtuar 1.12.2022 12:51