Ekzekutimi i Shyqyri Kalemit kërkohej përtej çdo kostoje

Autorët e masakrës në Memaliaj me pasojë vdekjen e Shyqyri Kalemit, kamerierit Gledio Muka dhe klientit në lokal Marsel Çela, si dhe plagosjen e Artur Kalemit, janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale në rajon.

Kjo e dhënë konfirmohet nga burime zyrtare pranë policisë, që janë duke hetuar ngjarjen e Memaliajt.

Ka dyshime se të njëjtët persona, që kohët e fundit kanë kthyer armët ndaj njëri-tjetrit, vite më parë janë marrë bashkërisht me trafikimin e lëndëve narkotike, aktivitet që dyshohet se edhe i ka futur në përplasje për shkak të prishjes së pazareve.

“Nuk kanë pasur dilema, shënjestra ka qenë Shyqyri Kalemi dhe ekzekutimi duket se kërkohej përtej çdo kostoje. Nuk shohim ndonjë qëllim për të shkaktuar viktima të tjera, por dinamika e ngjarjes tregon se as nuk janë kursyer”.

Kjo është bindja e grupit hetimor që po merret me zbardhjen e vrasjes së trefishtë mbrëmjen vonë të 22 korrikut.

Por nuk ka ende prova e për rrjedhojë as përgjegjës zyrtar për krimin, pavarësisht se disa shtetas janë në sitën e organeve të zbatimit të ligjit, ndaj të cilëve po kryhen verifikime në bashkëpunim edhe me autoritet e disa vendeve në rajon, sidomos Greqinë.

Atentatet e dështuara për vrasjen e djemve të Shyqyri Kalemit, Andrea e Zamir Kalemi, dyshohet se kanë çuar autorët për të goditur rrethin e tyre familjar.

Policia dhe Prokuroria e Gjirokastrës janë duke verifikuar një sërë të dhënash, përfshirë edhe nëse vrasësit të mund të kenë dalë nga vendi pas kryerjes së atentatit.

Të gjitha dyshimet shkojnë tek vijimi i sagës Sadikaj-Papa, që deri më tani ka marrë disa jetë.

Aleksandër Sadikaj, nipi i Kalemajve të Memaliajt, dhe Edmond Papa më herët kishin shoqëri me njëri-tjetrin ndërsa asnjëri prej tyre nuk jeton pas atentateve të njëpasnjëshme të kryera në Tiranë në harkun e pak muajve.

Sadikajn e vranë me eksploziv e Papën me armë zjarri, e për këtë të fundit ra në pranga shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrew Bode.


Shtuar 27.07.2024 20:30