Categories: tech

UBTech nxjerr në treg robotët humanoidë ultra-realistë për shoqërim afatgjatë

Kompania kineze UBTech Robotics ka zbuluar një seri të re robotësh humanoidë të pajisur me “lëkurë biomimetike”, të aftë të imitojnë shprehjet e fytyrës dhe rreth 90 për qind të lëvizjeve njerëzore. Ndryshe nga robotët e destinuar për industrinë, këto modele janë zhvilluar kryesisht për të ofruar shoqëri personale.

Robotët u prezantuan në një aktivitet të mbajtur në qendrën teknologjike të Shenzhenit. UBTech i pagëzoi ata Uworld U1 dhe i përshkroi si modelet e para ultra-realiste të këtij lloji që prodhohen në seri të mëdha.

Të lidhura

None found

Trupi i tyre është veshur me një material të quajtur “lëkurë biomimetike”, i krijuar për të afruar sa më shumë pamjen dhe prekjen me lëkurën e njeriut.

Kompania thotë se një “shtyllë kurrizore” e projektuar posaçërisht, së bashku me nyjat e avancuara, u jep robotëve mundësinë të riprodhojnë rreth 90 për qind të lëvizjeve njerëzore.

Modelet ofrohen në versione mashkullore dhe femërore. I pari ka gjatësi 183 centimetra, ndërsa i dyti 169 centimetra.

Pavarësisht përmasave, pesha e tyre është afërsisht sa gjysma e peshës së një personi mesatar me gjatësi të ngjashme.

UBTech ka përgatitur tri variante të Uworld U1: një model bazë që përfshin vetëm pjesën e sipërme të trupit dhe dy versione të plota me pajisje e funksione më të avancuara.

Çmimi fillestar raportohet të jetë rreth 120 mijë juanë, ose afërsisht 13 mijë funte. Variantet më të sofistikuara arrijnë deri në 990 mijë juanë, që korrespondon me mbi 109 mijë funte.

Ndryshe nga shumica e robotëve humanoidë që po ndërtohen për fabrika dhe procese industriale, Uworld U1 është menduar para së gjithash si shoqërues personal.

Zhou Jian, themeluesi i UBTech, e cilësoi këtë projekt si një etapë të re të “simbiozës mes njeriut dhe makinës”.

“Fillimisht robotët punojnë në fabrika, më pas hyjnë në shtëpitë tona dhe në fund integrohen pa pengesa në jetën tonë”, deklaroi ai.

Për të krijuar një përvojë sa më natyrale, kompania është përqendruar si në pamjen e robotëve, ashtu edhe në mënyrën se si ata lëvizin e komunikojnë.

Uworld U1 ka 88 nyja të komanduar nga motorë precizë, një mekanizëm të dyfishtë rrotullimi në qafë dhe mijëra pjesë të vogla në kokë, të cilat shërbejnë për krijimin e shprehjeve të fytyrës.

Jiao Jichao, nënpresident i UBTech dhe drejtues i institutit të kompanisë për inteligjencën e mishëruar dhe robotikën humanoide, tha se zhvillimi i fytyrës ishte ndër pengesat më të vështira teknike.

Sipas tij, sfida ishte integrimi i mekanizmave të ndërlikuar brenda një trupi me përmasa njerëzore, pa e bërë robotin të dukej i ngurtë apo artificial.

Inxhinierët duhej gjithashtu të sinkronizonin shprehjet e fytyrës me të folurin dhe emocionet, duke ruajtur të njëjtin nivel cilësie gjatë prodhimit masiv.

Çdo robot vjen me një sistem të integruar të inteligjencës artificiale, i zhvilluar posaçërisht për “shoqërim afatgjatë”.

UBTech pretendon se teknologjia është në gjendje të dallojë më shumë se 20 gjendje emocionale, me një saktësi mbi 90 për qind.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, roboti mund të zhvillojë biseda, të mbajë kontaktin me sy dhe t’i përgjigjet gjendjes emocionale të personit që ka përballë.

Produktet do t’u shiten vetëm blerësve të rritur.

Interesi fillestar duket i lartë. UBTech njoftoi se 13.361 persona kanë paguar tashmë një depozitë prej 3 mijë juanësh për të siguruar vendin në listën e porosive paraprake.

Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se deri në fund të vitit do të dhurojë 100 robotë për grupe të cenueshme.

Përfituesit e këtij programi do të jenë fëmijët që rriten larg njërit ose të dy prindërve, të moshuarit që jetojnë vetëm dhe familjet që ndodhen në rrethana të vështira.

Prezantimi i robotëve ka nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale.

Disa përdorues u shprehën të mahnitur nga pamja dhe niveli teknologjik, duke i krahasuar Uworld U1 me personazhe të filmave fantastiko-shkencorë.

Të tjerë e vlerësuan faktin që një kombinim i tillë i realizmit dhe inteligjencës emocionale po kalon në fazën e prodhimit masiv.

Megjithatë, një pjesë e komentuesve u ndjenë të shqetësuar nga pamja e robotëve dhe vunë në pikëpyetje dobishmërinë e tyre praktike.

Disa prej tyre i përshkruan si manekinë me mikrofon dhe inteligjencë artificiale, ndërsa të tjerë ironizuan me mundësinë që robotët të kthehen në rrezik për pronarët e tyre.

Debati për sigurinë është ushqyer edhe nga disa incidente të mëparshme me robotë humanoidë në Kinë.

Gjatë muajit mars, një robot i kompanisë Unitree goditi pa dashje një djalë të vogël në një shfaqje të zhvilluar në provincën Shaanxi.

Roboti po lëvizte drejt turmës me lëvizje të gjera të krahëve dhe, gjatë një rrotullimi, e goditi fëmijën në kokë.

Një incident tjetër ndodhi në një aktivitet sportiv në rajonin Xinjiang. Një robot që po demonstronte teknika të arteve marciale u rrëzua pasi disa fëmijë hynë në fushë, ndërsa vazhdoi të kryente goditje të pakontrolluara me këmbë.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet lidhur me përdorimin e robotëve humanoidë në shtëpi, veçanërisht pranë fëmijëve, të moshuarve dhe personave të cenueshëm.

Pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, UBTech e konsideron Uworld U1 një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje ku robotët nuk do të kufizohen vetëm në rolin e mjeteve të punës, por do të bëhen pjesë e jetës së përditshme. /GazetaExpress/

Tags: AutoTech

të fundit

Eric Wendt Confirmed by Senate as U.S. Ambassador to Albania, Appointment Awaits Trump’s Signature

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri,…

13 minutes ago

Librazhd Football in Mourning as Former Sopoti Captain and Coach Besnik Çota Dies

Sporti librazhdas është në zi. Mbrëmjen e kësaj të mërkure është ndarë nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, Besnik…

14 minutes ago

Fatal Accident in Durrës: Car Strikes and Kills Pedestrian; Driver Taken to Police Station

Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori është regjistruar mbrëmjen e sotme në Durrës. Sipas informacionit paraprak të Policisë,…

14 minutes ago

Futbolli shqiptar humbet Besnik Çotën, ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare

Besnik ÇotaNdahet nga jeta Besnik Çota, ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit të Librazhdit [...]Read More...

20 minutes ago

Eric Wendt konfirmohet nga Senati si ambasador i SHBA-së në Shqipëri, emërimi pret firmën e Trump

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri,…

26 minutes ago

Zyrtare, Fisnik Asllani transferohet te RB Leipzig për 30 milionë euro

Reprezentuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka kompletuar transferimin te RB Leipzig, në një marrëveshje me vlerë totale prej 30 milionë…

32 minutes ago