Zyrtare / Simone Inzaghi emërohet trajner i ri i Al-Hilal, klubi e prezanton si “gjeniun italian”

Simone Inzaghi është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës saudite Al-Hilal, e cila e prezantoi me entuziazëm si “gjeniu italian”.

Kjo lëvizje e madhe vjen pas katër sezoneve të suksesshme me Interin, ku Inzaghi fitoi një titull të Serie A, dy Kupa të Italisë, tre Superkupa Italiane dhe arriti dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve.

Trajneri italian pritet të jetë trajneri më i paguar në botë, me një kontratë dyvjeçare që përfshin një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, duke përfshirë bonuse dhe stimuj të ndryshëm.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të klubit, Al-Hilal njoftoi mbërritjen e Inzaghit dhe publikoi një video të realizuar në një hotel në Paris për të shënuar këtë moment të veçantë.

Karriera e tij si trajner në Arabinë Saudite do të nisë zyrtarisht në Kupën e Botës për Klube, që zhvillohet në SHBA.

Al-Hilal do të përballet me Real Madridin më 18 qershor, më pas me RB Salzburg më 23 qershor dhe me Pachuca më 27 qershor.


Shtuar 5.06.2025 00:01