ZYRTARE/ Armando Broja largohet nga Chelsea, por jo nga Premier League

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, do të vazhdojë karrierën e tij në Premier League, por këtë herë me një fanellë të re. Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Chelsea dhe Burnley kanë arritur marrëveshje për transferimin e përhershëm të Brojës, duke i dhënë fund aventurës së tij në “Stamford Bridge”.

Broja, i cili u rrit në akademinë e Chelsea-t, ka pasur dy vite të vështira në karrierë pas dëmtimit të rëndë në ligamentin e gjurit (ACL) gjatë sezonit 2022/2023. Që nga ajo kohë, sulmuesi 23-vjeçar ka pasur vështirësi për të rikuperuar formën e tij më të mirë dhe për të gjetur vazhdimësi në fushë.

Në pjesën e dytë të sezonit 2023/2024, Broja ishte i huazuar te Fulham, por huazimi rezultoi zhgënjyes, pasi ai nuk arriti të linte gjurmë. Sezonin e fundit ai e kaloi i huazuar te Everton, por edhe aty nuk gjeti suksesin e pritur. Ai iu bashkua skuadrës i dëmtuar dhe nuk arriti të shënojë asnjë gol në 12 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Chelsea e kishte nxjerrë në shitje Brojën për një shumë rreth 25 milionë paund, një çmim që u cilësua si ambicioz duke pasur parasysh mungesën e formës dhe minutazhit të lojës gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, duket se Burnley ka pranuar kushtet e vendosura nga Blutë dhe marrëveshja tashmë është arritur.

Romano, përmes një postimi në platformën X.com, shkroi:

“Është mbyllur mes Armando Brojës dhe Chelsea-t: kuptohet se transferimi te Burnley do të jetë i përhershëm. Broja do të kryejë testet mjekësore brenda 24 orëve të ardhshme dhe do të nënshkruajë një kontratë afatgjatë me Burnley-n.”

Transferimi në Burnley i jep Brojës një mundësi të re për të rifilluar karrierën e tij në elitën e futbollit anglez, në një ekip ku ka më shumë gjasa të luajë rregullisht dhe të rigjejë formën e tij më të mirë. Tifozët shqiptarë shpresojnë që kjo lëvizje të jetë kthesa që Broja ka nevojë për të shkëlqyer sërish në fushë.


Shtuar 2.08.2025 10:50

Tags: ,