Zaccagni tregon telefonatën që i bëri Del Piero: Duam edhe ne të shkojmë në Berlin

Mattia Zaccagni ka qenë hero i Italisë, duke shënuar një gol në minutën e tetë shtesë ndaj Kroacisë.

Me golin ndaj kroatëve, Zaccagni i siguroi Italisë një pikë që mjaftoi për të kaluar nga Grupi B si skuadra e dytë më e mirë nga ky grup.

Goli i sulmuesit të Lazios kishte ngjashmëri jashtëzakonisht të madhe me atë të legjendës italiane Alessandro Del Piero që shënoi në vitin 2006 ndaj Gjermanisë në Kupën e Botës.

Heroi i të kaltërve, Zaccagni zbulon së fundmi edhe emocionet për atë gol të veçantë ndërsa zbuloi se e kishte telefonuar edhe një legjendë si Alex Del Piero.

“Më telefonoi edhe Del Piero, ishte shumë i lumtur për mua. Më tha që të vazhdoja në këtë rrugë. Kur e godita topin nuk u mendova dy herë, ishte topi perfekt për të tentuar golin”.

“Edhe Spalletti u afrua shpejt për të festuar më përqafoi dhe më puthi. Për ne ishte shumë e rëndësishme që ta kalonim grupin si vend i dytë, ishte një mbrëmje madhështore që do ta mbaj mend për gjithë jetën”.

“Një tjetër finale në Berlin pas asaj të vitit 2006? Të riktheheshim në Berlin për një tjetër finale, do të ishte emocion i jashtëzakonshëm. Unë në vitin 2006 isha 11-vjeç dhe mbaj mend që pas ndeshjes dola për të festuar”, u shpreh Zaccagni.


Shtuar 26.06.2024 15:50

Tags: