Xhaka me Leverkusenin synojnë ta rrëzojnë Romën dhe ta prekin finalen e Ligës së Evropës

Pas ndeshjeve të para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, sonte është koha për të Ligës së Evropës.

Faza gjysmëfinale padyshim se do të jetë nxehtë edhe në Ligën e Evropës, ku katër ekipe të forta synojnë finalen.

Vëmendja kryesore do të jetë në “Olimpico” aty ku përballë njëra tjetrës do të jenë Roma e Bayer Leverkuseni.

Deri në këtë fazë, romakët arritën pasi eliminuan Feyenoordin, Brightonin e Milanin, kurse Leverkuseni ekipin e Qarabag e West Hamit.

Ekipi gjerman, i prirë nga Granit Xhaka në fushën e blertë, është në super formë këtë edicion, nuk di se çfarë është humbja në të gjitha garat.

Të drejtuarit e Xabi Alonsos janë shpallur kampion të Bundesligas, si dhe janë në finale të Kupës së Gjermanisë, e po ashtu synojnë ta mposhtin Romën dhe të prekin finalen, që për ta do të ishte edicion i paharruar.

Në krahun tjetër, Roma që nga marrja e drejtimit të klubit nga Daniele De Rossi është ringjallur, momentalisht në ligë është e pesta dhe po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri.

Përballja tjetër e natës do të jetë Olympique Marseille e Atalanta në “Stade Velodrome”.

Marseille ka eliminuar kundërshtar si Shakhtar Donetsk, Villarealin e Benfican, kurse Atalanta, Sportingun e Liverpoolin.

Kujtojmë se të dy sfidat e sotme nisin nga ora 21:00. Ndeshjet kthyese zhvillohen pas një jave. /Gazeta Express/


Shtuar 2.05.2024 14:39