Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka pranuar se Napoli është përmirësuar nën urdhrat e Francesco Calzonas dhe ka thënë se do të donte ta shihte Stanislav Lobotkan duke luajtur për blaugranasit.
Napoli dhe Barcelona do të takohen nesër (e martë) në kuadër të ndeshjes së dytë të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
“Unë pres një Napoli krenar që do të ushtrojë presion shumë. Ata kanë shumë kualitet në ekip. Treshja e sulmit të Napolit janë lojtarë të nivelit të lartë. Është një ndeshje e madhe ndaj një ekipi të madh, kampionit në fuqi të Italisë”, ka thënë fillimisht Xavi.
“Nuk ka favoritë, është 50-50. Tifozët duhet të na mbështesin dhe mendoj se stadiumi do të ushtrojë shumë presion mbi ta. Ne duhet të shfaqim identitetin tonë dhe të tregojmë personalitet”, është shprehur tekniku spanjoll.
Xavi gjithashtu pranoi se ndeshja e nesërme është më e rëndësishmja e këtij sezoni për gjigantin e La Ligas.
“Po është, por ne jemi të gatshëm, me vetëbesim. Ne nuk kemi luajtur në çerekfinale për katër vite. Ne do të përballemi me një ekip që nuk është në formën më të mirë, por ka fituar titullin sezonin e kaluar, na duhet një stadium i mbushur”, ka deklaruar Xavi.
Në fund ai parashikoi se kush nga lojtarët e Napolit mund të paraqes më së shumti rrezik për ekipin e tij.
“Më pëlqejnë sulmuesit e Napolit. Politano, Kvara dhe Osimhen, por gjithashtu edhe se si mbrohen. Më pëlqen Lobotka, ai është i mirë me topin dhe nuk e humbet atë. Do të doja ta shihja atë në një ekip si Barça”, përfundoi Xavi. /Telegrafi/