Xabi Alonso: Për titull flasim në Maj, unë kam një ekip të madh

Bayer Leverkuseni triumfoi sonte në derbin ndaj Bayern Munichit, duke bërë kështu një hap të madh në rrugën për titullin e kampionit në Gjermani.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso derbin ndaj kampionit në fuqi gjerman e fitoi bindshëm, me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.

Trajneri spanjoll thuri lavde për skuadrën e tij pas ndeshjes, teksa foli edhe për titullin e kampionit.

“Unë e kam një ekip të madh. Është plot energji dhe entuziazëm, ky është çelësi. Nuk ka asnjë sekret tjetër për suksesin tonë. Lojtarët po besojnë dhe po ia dalin”, tha fillimisht ai.

“Titulli? Të presim, do të flasim në muajin maj. Duhet të qëndrojmë jmë këmbë në tokë. Ne donim të ishim konkurrues dhe ia dolëm shkëlqyeshëm në planin tonë”, deklaroi Alonso.

Bayer Leverkuseni prin në tabelë me 55 pikë, pesë më shumë se Bayern Munichi, që vazhdon të jetë i dyti.

Vlen të theksohet se Leverkuseni nuk njeh humbje këtë sezon në asnjë garë ku po merr pjesë, me një bilanc fantastik prej 27 fitoreve dhe katër barazimeve në 31 ndeshje. /Gazeta Express/


Shtuar 10.02.2024 23:37