Vllaznia, më në fund, ka gjetur fitoren mes vuajtjesh, duke u rikthyer më në fund te tre pikët. Kuqeblutë mundën 3-2 në javën e 18-të të Superiores skuadrën vlonjate të Flamurtarit.
Sfida e luajtur në “Loro Boriçi” nisi mjaft mirë për shkodranët, të cilët kaluan në avantazh me Balajn në minutën e 4-të. Pas 20 minutash, ishte sërish kapiteni shkodran që dyfishoi shifrat, ndërsa në të 43-tën, Maksuti rihapi ndeshjen për Flamurtarin.
Një minutë nga starti i pjesës së dytë, Yago shënoi të tretin për ekipin e Edi Martinit, por vlonjatët reaguan sërish duke i shkurtuar shifrat për herë të dytë në këtë ndeshje, me Bangaly në të 56-tën.
Kështu Vllaznia merr fitoren e parë pas 6 ndeshjes radhazi, duke e mbyllur vitin 2025 në vendin e katërt me 30 pikë. Nga ana tjetër, Flamurtari nuk lëviz nga vendi i parafundit, me 14 pikë.
