Vllaznia mund Elbasanin dhe feston 107-vjetorin si e para në klasifikimin elitar të futbollit shqiptar

Vllaznia mori një fitore dramatike 2-1 ndaj AF Elbasanit në stadiumin ‘Loro Boriçi’, duke krijuar një shkëputje të rëndësishme prej pesë pikësh nga ndjekësja më e afërt, Egnatia. Emocionet në Shkodër arritën kulmin me golin e fitores të shënuar nga Kevin Dodaj në minutën e pestë shtesë.

Shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 23-të, kur pas një aksioni të gjatë sulmues, Balaj gjeti rrugën e rrjetës dhe mposhti Janaçek. Vendasit krijuan edhe raste të tjera me Kastratin dhe Kallakun, ndërsa Elbasani rrezikoi në fundin e pjesës së parë me Boye, por portieri Pohls reagoi saktë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Vllazninë.

Në pjesën e dytë loja u bë më e luftuar. Vllaznia pretendoi për penallti për një prekje me dorë në zonë, por loja vazhdoi. Tsague gjeti rrjetën në minutën e 76-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Dy minuta më pas, Elbasani barazoi: një harkim i Mustës nuk u largua nga mbrojtja dhe Boye realizoi për 1-1.

Kur ndeshja dukej se do të mbyllej në barazim, Dodaj shfrytëzoi një krosim në shtyllën e dytë dhe në minutën 90+5’ shënoi golin e fitores, duke ndezur festën në “Loro Boriçi”. Ky gol u konfirmua më pas edhe nga sistemi VAR, pasi pati dyshime për pozicion jashtë loje apo prekje të topit me dorë nga sulmuesi i Vllaznisë. Ky sukses i jep Vllaznisë një avantazh të çmuar në garën për kreun.


Shtuar 15.02.2026 22:53