Dinamo Zagreb ka triumfuar me një fitore 3-0 në shtëpi kundër Sibenik, ku protagonisti dhe “heroi” i ndeshjes ishte legjionari, Arbër Hoxha.
Në ligën kroate, Arbër Hoxha arriti të çmendë komentatorin me paraqitjen e tij. Shqiptari realizoi një nga tre golat dhe asistoi te i fundit.
Performanca e tij spektakolare bëri që komentuesi të thërriste me entuziazëm mbiemrin e tij shqiptar.
Në pamjet e publikuara, Arbër Hoxha shfaqet duke dribluar bukur, por jo vetëm kaq. Sulmuesi kuqezi dha edhe një pasim shumë inteligjent në zonë, duke gjetur Baturinën të lirë, i cili nuk gaboi dhe realizoi golin.
Lojtari i kombëtares solli adrenalinë në zërin e komentatorit, i cili në gjuhën sllave përsëriste “Hoxhaaaa” duke dhënë gjithashtu vlerësime pozitive për anësorin që praktikisht krijoi golin.
Në Kroaci, të gjithë e duan Arbrin, i cili po kalon një formë të shkëlqyer që para nisjes së pjesës së dytë të sezonit.
Në ndeshjet miqësore, ai kishte dhënë sinjale të forta, të cilat tani po shndërrohen në statistika mbresëlënëse edhe në përballjet zyrtare për futbollistin e Sylvinhos.