Tensionet janë rritur ndjeshëm përpara finales së Ligës së Kampionëve, pasi tifozët e Interit dhe Paris Saint-Germain janë përplasur fizikisht në Mynih, ku përballja do të zhvillohet në “Allianz Arena”.
Sipas pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, skena të dhunshme janë regjistruar në një zonë të transportit publik, ku janë hedhur shishe dhe tifozë të irrituar janë përleshur me grushte.
Ende nuk është e qartë nëse autoritetet kanë ndërhyrë për të ndarë kampet kundërshtare, të cilët gjatë gjithë ditës kanë shkëmbyer brohoritje provokuese dhe tallje.
Mediat raportojnë për disa të lënduar lehtë, por nuk bëhet fjalë për ndonjë incident të rëndë apo viktima serioze.
Pritet një reagim zyrtar nga UEFA, veçanërisht pas pamjeve ku disa tifozë duket se kanë shkelur frymën sportive të ngjarjes.
Masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm, meqenëse kjo finale konsiderohet e rrezikut të lartë.