Kristian Shpendi është kthyer të bëjë përsëri atë që di më mirë, të tundë rrjetën e portës kundërshtare. Sulmuesi, i cili debutoi në shtator në radhët e Kombëtares, ka gjetur përsëri rrjetën sot në Serinë B.
I aktivizuar si titullar në përballjen në transfertë ndaj Sudtirol, sulmuesi ia doli që të gjendej në momentin e duhur para portës për të devijuar në rrjetë me një nuhatje bomberi zone, kur shënohej minuta e 30 e takimit.
Kësisoj, ai i dha avantazhin skuadrës së tij e cila lufton në këtë edicion për ngjitjen në Serinë A.
Ky ishte goli i tretë i këtij sezoni për Kristian Shpendin, i cili është vënë në ndjekje të vëllait të tij, Stiven, i cili deri tani ka shënuar një gol më shumë me fanellën e Empolit.
Një gol i rëndësishëm për faktin se Kristian nuk shënonte që nga fundi i muajit gusht e për të erdhi një çlirim pas një periudhe “thatësie”.
