VIDEO/ Hap fals i Interit në Seria A, barazon me Atalantan

Inter ka luajtur baras me rezultat 1-1 ndaj Atalantas në kuadër të xhiros së 29-të të Serie A, në një përballje të luftuar deri në minutat e fundit.

Skuadra zikaltër e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në avantazh në minutën e 26-të. Talenti Francesco Pio Esposito përfitoi nga një pasim i bukur brenda zonës dhe realizoi me një goditje të saktë të ulët në mes të portës, duke kaluar Interin në epërsi 1-0.

Pas golit, vendasit kontrolluan ritmin e lojës dhe arritën të neutralizonin përpjekjet e Atalantës, e cila nuk krijoi shumë rrezik në pjesën e parë. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Interit.

Këmbëngulja e mysafirëve u shpërblye në minutën e 83-të, kur pas një aksioni në zonë topi përfundoi te Nikola Krstovic, i cili reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë për të barazuar shifrat në 1-1.

Pas golit pati edhe një moment tensioni, pasi gjyqtari Gianluca Manganiello urdhëroi kontrollin e aksionit nga sistemi VAR për një faull të mundshëm, por goli u konfirmua.

Deri në fund të takimit, të dy skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe ndeshja përfundoi me barazim 1-1.

Pas këtij rezultati, Interi vazhdon të mbetet lider në Serie A me 68 pikë, tetë më shumë se AC Milan që renditet në vendin e dytë me 60 pikë.

Megjithatë, Milani ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje dhe do të përballet me Lazion, ku mund të ngushtojë diferencën në tabelë./Telegrafi/


Shtuar 14.03.2026 17:14