VIDEO / Gjyqtari largoi nga fusha futbollistin me karton të kuq rrethor

Ndeshja e Kupës FA mes Brentfordit ku luan Thomas Strakosha dhe Ullvërhempton ka shënuar në natën e të premtes një episod shumë të veçantë që në minutat e parë të duelit. Pikërisht në minutën e 9-të, gjyqtari Toni Herrington i tregoi kartonin e kuq futbollistit Zhoao Gomez të skuadrës mike. Por nuk ishte një karton si të gjithë të tjerët.

Tifozët mbetën të çuditur kur panë se si gjyqtari nxori nga xhepi i tij një karton në formë rrethore dhe ia tregoi lojtarit të Ullvërhempton për ta larguar nga fusha e lojës. Rrjetet sociale u mbushën me komente nga më të ndryshmet për të kuptuar se pse kishte ndryshuar në këtë mënyrë një nga objektet më ikonike të lojës së futbollit.

Por në portale që i kushtohen gjykimit të ndeshjeve, është shpjeguar arsyeja e zgjedhjes së veçantë që kishte bërë arbitri anglez. Sipas tyre, kartoni i kuq në formë rrethore përdoret për dy arsye.

E para është për të ndihmuar shikuesit të cilët kanë probleme me shquarjen e ngjyrave dhe nëpërmjet formës së tij e kuptojnë që është kartoni i kuq. E dyta është sepse shumë gjyqtarë kanë filluar të përdorin forma alternative për të kuptuar sa më shpejt se cilin karton kanë kapur në xhepin e tyre, për të dhënë menjëherë vendimin pa u gabuar. /panoramasport/


Shtuar 6.01.2024 12:35

Tags: