“Çmenduri” në Vorë, Partizani merr pikë me 10 lojtarë dhe gol në minutën e 95-të

Ndeshja mes Vorës dhe Partizanit ka prodhuar emocione në javën 28 të Abissnet Superiore. Rezultati përfundimtar ishte 2 me 2, ndërsa golat u shënuan në limitet e secilës pjesë loje.

Ishte një barazim i çmendur për të kuqtë, që në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë e panë veten në disavantazh të dy golave. Për Vorën shënoi Luis Felipe dhe Çibuike.

Në frymën e fundit të fraksionit të parë ishte Doumbia, që ktheu Partizanin në lojë. Ky i fundit la të kuqtë me 10 lojtarë në minutën e 90-të.

Partizani i Kërnajës nuk u dorëzua, ndërsa i erdhi në avantazh autogoli i Çibuikes në minutën e 95-të. Të kuqtë kanë 7 javë që nuk e provojnë shijen e humbjes në kampionat. Vora ndërkohë regjistron nëntë ndeshje pa fitore.

Partizani është 9 pikë larg kreut, që mbahet nga Vllaznia dhe Elbasani. Në anën tjetër vendi i katërt në “Final Four” mbetet i të kuqve.

Vora rimerr vendin e shtatë në renditje. Aktualisht numëron po aq pikë sa Bylisi i vendit të tetë dhe 3 pikë më shumë se Tirana me Flamurtarin. /Panorama sport.


Shtuar 15.03.2026 21:42