Vedat Muriqi në telashe, ja kur pritet të rikthehet ylli i Kosovës

Vedat Muriqit i është ndërlikuar disi situata, pasi mund të mungojë gjatë gjithë muajit janar. Ylli i futbollit të Kosovës pritej të rikthehej javën e ardhshme në fushën e blertë, pas dëmtimit që e la jashtë fushës së blertë për plot dy muaj.

Mirëpo, rikthimi i sulmuesit të njohur ndryshe me noftën “Pirati”, që pritej të ndodhte më 13 janar kundër Selta Vigos, duket se do të mbetet vetëm dëshirë. Mediat spanjolle raportojnë se 29-vjeçari nuk ndihet ende i gatshëm për t’u rikthyer. Madje, ato shtojnë se lojtari i Përfaqësueses së Kosovës mund ta humbasë edhe krejt muajin janar.

Fillimisht parashikohej që Muriqi do të mungonte vetëm 4 deri në 6 javë, por tanimë po rezulton që tërheqja muskulore në stadiumin “Fadil Vokrri” mund ta lë ish-futbollistin e Rizersporit, Fenerbahçes dhe Lacios për gati 3 muaj jashtë fushave të futbollit.
Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Majorkës në 3 sezonet e fundit dhe mungesa e tij është e dukshme tek ekipi ishullor. /PanoramaSport/


Shtuar 3.01.2024 11:36