Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka njoftuar se ka denoncuar zyrtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) thirrjet raciste kundër shqiptarëve në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski gjatë ndeshjes mes ekipeve përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
“Vdekje për shqiptarët”, ishin disa nga thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA Ëorld Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në qytetin e Kumanovës.
“Federata Shqiptare e Basketbollit informon se pas ngjarjes së ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA Ëorld Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në qytetin e Kumanovës ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ka ndërmarrë hapa zyrtarë për ta adresuar këtë çështje.
FSHB ka dërguar një letër zyrtare pranë FIBA Ëorld, duke denoncuar ngjarjen dhe kërkuar që të merren masa të qarta ndaj çdo veprimi që bie ndesh me frymën e barazisë dhe respektit që promovon sporti. Federata thekson se basketbolli duhet të jetë një hapësirë për bashkëpunim, respekt dhe përfaqësim dinjitoz, larg gjuhës së urrejtjes dhe çdo forme diskriminimi.” – shkruhet në njoftimin e FSHB-së.