U dëmtua në finalen e Champions, Belgjika mëson fatin e De Bruyne për “Euro 2020”

Roberto Martinez ka folur për gjendjen e Kevin De Bruynes pas dëmtimit që e pësoi në ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve.

Përzgjedhësi i Belgjikës, Martinez, ka folur në një konferencë shtypi, për lëndimin e De Bruynes.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe do të kemi më shumë qartësi në ditët e ardhshme, por unë kam folur me Kevin dhe ai ishte mjaft pozitiv”.

“Ne jemi me shumë fat që edhe pse ai ka një frakturë të dyfishtë, ai nuk ka nevojë për operacion”, tha ai.

“Një operacion do ta kishte bërë të pamundur që ai të luante në Kampionatin Europian”.

“Ne nuk e dimë nëse mund ta përdorim atë në ndeshjen e parë të “Euro 2020”. Unë nuk mund të jap një përgjigje sepse nuk kam ndonjë argument mjekësor tani”, shtoi ai.

“Ne jemi ende duke vlerësuar dëmtimin dhe gjatë katër ose pesë ditëve të ardhshme do të kemi më shumë qartësi, pastaj do të shohim se cilët do të jenë hapat e ardhshëm për De Bruynen”, përfundoi Martinez.

Kampionati Europian fillon më 11 Qershor, ndërsa Belgjika ndeshjen e parë e zhvillon kundër Rusisë më 12 Qershor.


Shtuar 1.06.2021 16:26