Triumfi i Manchester United në finale të FA Cup ndaj Manchester Cityt ka lënë me pasoja të konsiderueshme Chelsean dhe Newcastlen në Evropë.
‘Djajtë e Kuq’ siguruan një vend në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm, pasi mposhtëm me rezultat 2-1 në finale të FA Cup kampionin e Ligës Premier, Manchester Cityn.
Kjo ishte mundësia e fundit e Unitedit për t’u kualifikuar në Evropë pasi në ligë përfunduan në pozitën e tetë.
Pas golave të shënuar nga Alejandro Garnacho dhe Kobbie Mainoo, klubi anlgez siguroi kualifikimin në Ligën e Evropës përkrah Tottenhamit, por tashmë janë konfirmuar pasojat për dy klube të tjera.
Si rezultat i fitores së Unitedit, Chelsea tashmë nuk do të garojë në Ligën e Evropës por këtë do ta bëjë në Ligën e Konferencës.
Newcastle United në anën tjetër kanë mbetur jashtë garave evropiane për sezonin e ardhshëm, përkundër faktit që janë renditur mbi Manchester Unitedin në ligë.
Manchester City natyrisht, do të konkurrojë në Ligën e Kampionëve së bashku me Arsenalin, Liverpoolin dhe Aston Villën, me këta të fundit që kanë pasur një sezon për t’u mbajtur mend nën urdhrat e Unai Emery.
Pas këtij triumfi të madh të Unitedit, mbetet të shihet se a do të konfirmohet Ten Hag në stol edhe për sezonin e ardhshëm, apo do të shkarkohet dhe në vend të tij do të vijë dikush tjetër. /Telegrafi/