Treshja e madhe në Itali kërkon të vijojë me fitore

Nuk ka derbi në elitën e futbollit italian në këtë fundjavë në javën e 17-të, por skuadrat e kreut të tabelës do të mundohen që të vazhdojnë formën pozitive.

Milani që është i pari në renditje me 38 pikë do të luajë të shtunën në orën 20:45 në udhëtim tek Udinese. Ky ballafaqim ka dhënë më së shumti barazime në të gjitha duelet e Serisë A italiane. Në 92 ndeshje me “rossonerët”, skuadra nga Friuli ka marrë 17 fitore, 34 herë janë ndarë baras skuadrat, derisa 41 fitore u kanë takuar “kuqezinjve”.

Milani i Stefano Piolit është duke kaluar në formën më të mirë në dekadën e fundit në ligë. Ka marrë 38 pikë në 16 ndeshje, që është forma më e mirë në këtë fazë të garës që prej edicionit 2003/04.

Kampioni në fuqi i Italisë, Interi, do të përballet me Cagliarin të dielën në orën 20:45.

Interi i ka fituar shtatë nga nëntë ballafaqimet e fundit me këtë skuadër, duke shënuar 22 gola në total, me mesatare prej 2.4 golash për ndeshje.

Herën e fundit kur Cagliari e mbajti portën e paprekur përballë “nerazzurrëve” ishte dueli i marsit të vitit 1992. Ky ballafaqim vë përballë Interin që është skuadra që ka shënuar më së shumti nga ndërprerjet, 13 herë gjithsej, dhe Cagliari, është skuadra e cila ka pranuar më së shumti gola nga ndërprerjet, 12 në total.

Napoli të dielën po ashtu në orën 18:00, luan në shtëpi ndaj Empolit.

Në tetë ndeshjet e kaluara në shtëpi, skuadra e Napolit është mposhtur vetëm një herë nga Empoli. Napolitanët në ato ndeshje i kanë shënuar 23 gola dhe i kanë pranuar nëntë. Skuadra e Napolit nuk ka barazuar në Serie A kundër një skuadre të promovuar në elitë që prej dhjetorit të vitit 2014. Në atë kohë kishte barazuar 2:2, pikërisht me Empolin.


Shtuar 10.12.2021 19:56

Tags: ,