Trajneri i ri i Partizanit flet shqip, batuta për ngjyrën e kuqe

Pasditja e djeshme ka qenë tejet e ngarkuar për Partizanin, që ka prezantuar trajnerin e ri, i cili vjen si pasues i Orges Shehit, i larguar pas ndeshjeve të Kupave të Europës.

Aleksandar Veselinoviç, ka bërë prezantimin e tij të parë përballë kamerave dhe gazetarëve. Konferenca qe programuar në orën 17:45, por nisi rreth orës 18:00.

I pari që mbërrin në impiant ishte drejtori Arbër Abilaliaj, në 17:43. Pak minuta më pas, i shoqëruar nga menaxheri i skuadrës, Amarildo Dajlani, zbarkon trajneri i ri, Aleksandar Veselinoviç.

SHQIP – I kuruar në detaje dhe me një çantë në krah, ai zgjedh të përshëndesë të pranishmit në gjuhën shqipe me një “mirëdita”. Më pas hyn për pak çaste në zyrën e Abilaliajt, përpara se së bashku të dalin në sallën e konferencave.

Ajo që ra në sy është fakti se ndryshe nga herët e tjera, në këtë prezantim nuk ishin të pranishëm në kompleks presidenti Gaz Demi dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Edhe para startit të konferencës, Veselinoviç zgjedh të përshëndesë në shqip, teksa gjatë fjalës së tij citon me emra të gjithë futbollistët, një tregues se nuk ka ardhur i papërgatitur.

I QETË – Në këtë prezantim të parë, Aleksandar krijoi idenë e një personi të qetë dhe miqësor, teksa nuk mungoi as shtrirja e dorës së bashkëpunimit me gazetarët, diçka ndryshe nga të huajt e tjerë, që kanë zbarkuar në vendin tonë.

BATUTAT – Veselinoviç në fund të konferencës dhe pas firmosjes së kontratës pozoi me shallin e Partizanit në qafë. Në këtë moment ai nuk i kurseu batutat dhe bëri një krahasim me ekipet në atdheun e tij. Ai me batutë u shpreh: “Edhe në Serbi kemi Partizan, por ata janë me ngjyrat bardhezi. Partizani këtu ka ngjyrat e Crvena Zvezdës”.

STËRVITJA E PARË – Në orën 19:00, Veselinoviç zbarkoi në stërvitje bashkë me stafin dhe ekipin. Ajo që ra në sy ishte fakti se në fushë nuk mbajti asnjë fjalim, teksa menjëherë puna nisi me përgatitësin atletik, Luis Nabais. Trajneri më së shumti preferoi që gjatë kësaj pjese të seancës të qëndronte i ulur në pankinë, por edhe të bisedonte me lojtarë të caktuar si Zguro apo Hadroj.

ME “BEREQET” – Kur vjen diçka e re dhe qëllon të bjerë shi, në Shqipërinë e mesme thonë se “erdhi me bereqet” (me mbarësi, me bekim). Në fakt në seancën e parë të Veselinoviç në “Arenën e Demave” qëlloi të binte një shi i rrëmbyeshëm plot me vetëtima dhe erë, që në një moment vunë në dyshim edhe vijimësinë e stërvitjes në fushë. Ndërkohë, mbetet të shihet se sa fat dhe mbarësi do të ketë trajneri serb në këtë start të tij. Fakti është që gjen një skuadër me shumë të larguar, e cila duhet të gjejë identitetin dhe forcën te vetja.


Shtuar 27.08.2024 09:29