Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka dalë në një konferencë për shtyp në funksion të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, ku theksoi se ekipi është i motivuar dhe në formë për ndeshjen e parë kundër Rumanisë.
“Jemi shumë të motivuar për ndeshjen e parë në shtëpi. Të gjithë lojtarët janë në formë, dhe kjo na jep shumë mundësi për të zgjedhur formacionin më të mirë. Edhe pse në ndeshjet e kaluara nuk kemi shënuar shumë gola, tani kemi në dispozicion lojtarë si Muriqi, Rrahmani, Zhegrova dhe Asllani, të cilët kanë shkëlqyer me klubet e tyre dhe shpresojmë që këtë formë ta sjellin edhe në kombëtare”, tha Foda.
Në lidhje me objektivat e ekipit, Foda u shpreh: “Qëllimi ynë kryesor është të fitojmë ndeshjen e parë. Sigurisht, dëshirojmë të jemi favoritë dhe të fitojmë çdo ndeshje për të përfunduar të parët në grup”.
Të premten, përfaqësuesja e Kosovës luan ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 9 shtator, ndaj Qipros në Larnaca.