Tragjedi në futboll, 19-vjeçari ndërron jetë pas kolapsit në fushën e lojës

Një ngjarje tragjike ka goditur futbollin kazak dhe më gjerë.

Dias Toleu, futbollisti i ri vetëm 19 vjeç, ka humbur jetën gjatë një ndeshjeje zyrtare të Ligës së Parë në Kazakistan, mes ekipeve Khan Tengri dhe Ekibastuz, e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit.
Ngjarja ndodhi në minutën e 65-të të takimit, kur Toleu u rrëzua papritur në fushë. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, më pas u konfirmua ndarja e tij nga jeta. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat.

I lindur në Almaty, Toleu ishte një talent premtues, produkt i akademisë së njohur të Kairat Almaty. Në muajin prill të këtij viti, ai iu bashkua skuadrës së Khan Tengri, ku po hidhte hapat e parë në futbollin profesionist. Vlerësohej për shpirtin luftarak, përkushtimin dhe dashurinë ndaj lojës.
Pas lajmit të hidhur, Federata e Futbollit të Kazakistanit reagoi me një deklaratë zyrtare: “Me trishtim të thellë japim lajmin për ndarjen nga jeta të sulmuesit të ri, Dias Toleu. Edhe pse në një moshë shumë të re, ai spikaste për pasionin e tij për futbollin dhe talentin e madh. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe klubit të tij.”


Shtuar 17.10.2025 10:56