Tirana në rënie të lirë, mundet edhe nga Elbasani dhe zhytet akoma më shumë në krizë

As ardhja e Orges Shehi nuk ka mundur të shkundë Tiranën në këtë sezon. Bardheblutë pas dy humbjeve derbi në kampionat dhe Kupë, pësuan një tjetër humbje këtë radhë ndaj Elbasanit në sfidën e javës së 27 të Kategorisë Superiore.

Në ndeshjen e zhvilluar në ‘Selman Stërmasi’, skuadra e Gvozdenovic iu imponua bardhebluve duke i mundur me rezultatin 1-0 duke marrë 3 pikë të çmuara që e ngjisin atë në kuotën e 49 pikëve në vendin e dytë.

Ai që vendosi fatin e kësaj ndeshjeje për Elbasanin ishte Ze Gomes me golin e shënuar në fundin e pjesës së parë. Tirana u mundua të reagojë në pjesën e dytë e madje iu afrua golit të barazimit, por as fati nuk ishte me të besuarit e Orges Shehit që panë të ndalen nga tramversa në një moment të sfidës.

Kështu ndeshja u mbyll me fitoren 1-0 të Elbasanit që vazhdon të ëndërrojë për titullin në Superiore, ndërsa Tirana mbetet me 21 pikë në fundin e klasifikimit.


Shtuar 8.03.2026 18:35