Tifozët e futbollit mund të lejohen të tymosin kanabis në Euro 2024 pas aprovimit të ligjit

Tifozët e futbollit mund të jenë në gjendje të tymosin kanabis në Euro 2024 pas një ndryshimi të madh të ligjit i cili është aprovuar.

Gjermania do të jetë nikoqir i edicionit të 17-të të Kampionatit Evropian që do të mbahet mes 14 qershorit dhe 14 korrikut, teksa ndeshjet do të zhvillohen në Berlin, Munich, Dortmund, Stuttgart, Gelsenkirchen, Frankfurt dhe Hamburg.

Por, vetëm disa muaj para ndeshjes hapëse mes Gjermanisë dhe Skocisë në grupin A, kanabisi tashmë është legalizuar.

Siç u raportua nga mediumi anglez BBC, qeveria gjermane e ka aprovuar këtë ligj, që do të thotë se tymosja e kanabisit në vendet publike do të jetë legale që nga 1 prilli.

Sipas ligjit të ri të prezantuar, njerëzit do të lejohen që të posedojnë rreth 25 gramë kanabis në publik, por kjo vlen vetëm për personat mbi moshën 18-vjeçare.

Tifozët që do të udhëtojnë në Gjermani për të ndjekur nga afër Kampionatin Evropian do të jenë të lirë që të tymosin këtë substancë, edhe pse kjo nuk do të lejohet afër shkollave dhe stadiumeve.

Ky ligj së pari duhet të nënshkruhet nga presidenti dhe qeveria do të bëjë një fushatë duke përmendur rreziqet që shkakton kanabisi.


Shtuar 23.02.2024 20:28

Tags: