“Thuajse e kishim harruar ndjesinë”, Broja sheh gjërat ndryshe pas golit vendimtar: Dëshirë dhe uri për të qëndruar në kampionatin më të mirë

Armando Broja i sheh gjërat më me pozitivitet pas golit të tij të parë me fanellën e Bërnlit, të cilin e ndihmoi të merrte një barazim ndaj Bornmuthit. Sulmuesi, në një intervistë të dhënë për mediat e klubit, ka vlerësuar se ai dhe ekipi kanë dëshirën dhe urinë që duhet për të synuar mbijetesën në elitë.

“Bornmuth është një skuadër shumë e mirë, e dimë këtë. Janë shumë të vështirë për t’u përballur. I kemi parë disa nga rezultatet e tyre në këtë sezon, janë gjithmonë konkurrues edhe ndaj ekipeve të mëdha. Ndaj padyshim janë një ekip i vështirë dhe për ne ishte ndeshje e vështirë.

Por siç e thashë, të marrësh një pikë, që është e mirë pas 7 humbjesh, është një ndjesi e mirë për ne si një grup pasi është diçka mbi të cilën të mund të ndërtojmë. Thuajse e harruam se si ndjehesh por ishte një ndjesi fantastike që të siguronim një pikë dhe të shihnim para si grup. Padyshim një ndjesi fantastike për mua, por edhe i gjithë ekipi ishte i kënaqur, të gjithë ishin të përfshirë. Ndaj ndoshta paraqitja nuk ishte më e mira që kishim, por sa i përket rezultatit, ishte i mirë për ne që të ndërtonim mbi të dhe krijonim një ecuri.

Kemi pasur shumë vendosmëri në të gjithë ndeshjet që kemi luajtur, jo vetëm në këtë ndeshje. Ishte ndeshja në transfertë ndaj Mançester Junajtid ku humbëm me një gol diferencë, ndeshja në shtëpi ndaj Liverpulit ku humbëm me një gol të vonë. Kanë qenë disa ndeshje. Edhe me Fullhemin humbëm me një gol dhe mund ta shihje që ishim konkurrues, kishim cilësi, dëshirën, urinë, bashkimin që të qëndrojmë në Premier Ligë. Si një skuadër, si një grup, me djemtë çdo ditë, unë mund ta shoh te çdokush, të gjithë duan të mbijetojmë. Ky është kampionati më i mirë dhe padyshim që të gjithë duam që të jemi pjesë e këtij kampionati dhe të luajmë. Ndaj siç e thashë do të luftojmë në çdo ndeshje që të kemi mundësi. Dhe shpresoj që tani, pas këtij barazimi dhe kësaj pike, të ndërtojmë vazhdimësi. E kemi parë se sa shpejt ndryshojnë gjërat dhe ne do të qëndrojmë të bashkuar duke shpresuar që të ndryshojmë gjërat”, tha Broja në prononcimin e tij.


Shtuar 24.12.2025 21:18