Trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag, ka konfirmuar rikthimin e Lisandro Martinez dhe Casemiro në stërvitje, duke thënë se është mirë kur lojtarë klasi si kjo dyshe rikthehen në stërvitje.
Casemiro ka qenë jashtë fushave për disa kohë për shkak të një lëndimi të muskujve hamstring, që e pësoi në muajin nëntor, ndërsa Martinez po rikuperohet nga operimi në gju.
Tani që të dy janë rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit, diçka që e ka bërë mjaft të lumtur teknikun holandez.
“Dy lojtarë klasi dhe ata do ta çojnë ekipin përpara. Ne e dimë këtë dhe tani po presim rikthimin e tyre për ndeshjet në vazhdim. Por, ne duhet të presim për këtë. Atyre iu duhet edhe pak kohë për t’u rikuperuar plotësisht, por po, është një sinjal i mirë që ata janë rikthyer në stërvitje me ekipin”, ka thënë Ten Hag para duelit me Wigan në FA Cup.
United ka hasur në vështirësi këtë sezon, teksa gjenden në pozitën e tetë në tabelë dhe janë eleminuar nga Liga e Kampionëve dhe Carabao Cup.
Teksa paraqitjet e Casemiros nuk i kanë përmbushur pritshmëritë e tifozëve dhe e ardhmja e tij mbetet në dyshim, Martinez mund të luajë një rol të madh në klub në pjesën e dytë të sezonit.
United do e nis kampanjën e tyre në FA Cup në udhëtim ndaj Wigan Athletic nesër (e hënë), ndërsa më 14 janar do të rikthehen të luajnë në Ligën Premier përballë Tottenhamit./Telegrafi/