Të gjithë sytë e Europës te Alen Sherri, fati i kampionit të Serisë A do të jetë në duart e portierit shqiptar

Kjo e premte do të jetë vendimtare pasi do të përcaktojë titullon kampion në Serinë A. Dhe fati i këtij trofeu do të jetë edhe në duart e Alen Sherrit. Kaljari, skuadra e cila luan ndaj Napolit kryesues në javën e fundit, do t’i besojë vendin në formacionin titullar portierit shqiptar.

Elia Kaprile, titullari i ishullorëve në pjesën e dytë të sezonit pasi u transferua në huazim pikërisht nga Napoli, do të mungojë në këtë sfidë, për shkak dëmtimi sipas vetë trajnerit Davide Nikola. Ky i fundit konfirmoi mungesën e Kapriles, ashtu si edhe faktin që nuk do i besonte të riut Çioçi.

“Nuk do të jetë Kaprile, i cili ka luajtur i dëmtuar në ndeshjen ndaj Venecias. E falënderoj që qëndroi në fushë pavarësisht këtij problemi.

Shans për të riun Çioçi? Xhuzepen, ashtu si Jankton, e dua shumë, ashtu si të gjithë lojtarë e mi. Por kam përgatitur ndeshjen në mënyrën që të jemi sa më konkurrues të jetë e mundur. Si ai, edhe Jankto, nëse nuk kanë luajtur asnjë ndeshje, qartësisht nuk janë cilësuar në nivelin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Nëse do të kem mundësinë t’ia jap këtë kënaqësi, do e bëj, po atëherë do të thotë që duhet të ndryshoj titullarin”, tha Nikola para mediave, duke bërë të qartë se ndeshjen nga minuta e parë do ta niste Alen Sherri.


Shtuar 22.05.2025 18:36