Ditën e hënë, kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, sulmuesi Taulant Seferi dhe mesfushori Arbër Hoxha, dhanë prononcimet e tyre për fshf.org, duke treguar objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticiondhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.
Arbër Hoxha, u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht, për të marrë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.
Mesfushori kuqezi, vlerëson dy kundërshtarët ndërsa tregon objektivat e Kombëtares në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, që është vendi i parë në grup.
Ndër të tjera, Hoxha u bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.
Ndeshja me Ukrainën – Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.
Sfida me Gjeorgjinë në “Air Albania”– Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. U bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin.
Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?
“Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë”.
Taulant Seferi, tregon se përgatitjet për dy ndeshjet e para në Nations League, po shkojnë shumë mirë dhe shton se për momentin fokusi kryesor është te takimi në transfertë ndaj Ukrainës.
“Kemi nisur grumbullimin dhe kemi dy ndeshje. Ukraina dhe Gjeorgjia janë dy kundërshtarë shumë të fortë. Kemi filluar përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Ukrainës dhe po shkojnë shumë mirë. Kemi edhe disa ditë për të marrë më shumë informacion për ekipin kundërshtar dhe duhet të futemi në fushë për të dhënë maksiumumin. Të gjithë e dimë se Ukraina është një kombëtare fizike shumë e fortë dhe duhet të përgatitemi në maksimum. E njoh kampionatin e Ukrainës dhe disa lojtarë që luajnë atje, janë një kombëtare shumë fizike pasi atë stil loje kanë. Janë kundërshtar shumë i fortë dhe duhet të përgatitemi mirë për të dhënë maksimumin”, – tha sulmuesi kuqezi, i cili shton se objektivi kryesor është për ta nisur me fitore ndaj Ukrainës.
“Objektivi kryesor është që çdo ndeshje të japim maksimumin dhe shpresojmë që në ndeshjen e parë të dalim fitimtarë, pastaj të nisim përgatitjet për ndeshjen me Gjeorgjinë”, – tha Seferi, i cili në fund ka edhe një thirrje për tifozët për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania”.
“Ndeshjen në “Air Albania” mezi po e presim pasi kemi disa muaj që nuk kemi luajtur në Tiranë. I bëj thirrje tifozëve pasi asnjëherë nuk kanë munguar dhe e di që do të vijnë shumë, por shpresoj që stadiumi të jetë “full” edhe në këtë ndeshje”, – përfundoi Taulant Seferi.