Sylvinho ka dy dilema në prag të duelit ndaj Andorras

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet intensive në prag të përballjes vendimtare ndaj Andorrës, me një objektiv të qartë: tre pikët. Trajneri Sylvinho ka në dispozicion të gjithë grupin, ndërsa atmosfera në kampin kuqezi përshkruhet si shumë pozitive.

Seancat e fundit janë zhvilluar mes palestrës dhe fushës, ku stafi teknik ka punuar me kujdes për çdo detaj taktik. Sylvinho është përqendruar veçanërisht te faza mbrojtëse dhe goditjet standarde, duke qenë i vetëdijshëm se do të përballet me një kundërshtar që mbrohet me shumë forca. Braziliani nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha në formacion, krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Serbisë.

Megjithatë, dy dilema mbeten të hapura: në mesfushë, ku Medon Berisha po kalon një moment të shkëlqyer, dhe në krahun e majtë të sulmit, ku Arbër Hoxha dhe Myrto Uzuni po garojnë për një vend titullari. Kuqezinjtë janë të përqendruar maksimalisht dhe të vendosur për të marrë fitoren që do t’i mbante në garë për objektivat madhorë.


Shtuar 12.11.2025 17:22