Sulmuesi i Shqipërisë U21 gjen ekip të ri, transferohet në kampionatin italian

Eljon Toçi ka gjetur ekipin e rij për karrierën e tij. Sulmuesi i datëlindjes 2003 është transferuar në radhët e Pro Sestos. Është pikërisht klubi në fjalë që ka zyrtarizuar firmën me lojtarin e Kombëtares U21 përmes faqes së vetë zyrtare. Toçi transferohet në radhët e skuadrës së Serisë C në formën e huazimit, teksa kartonin e tij vazhdon ta zotërojë Fiorentina.

“Pro Sesto 1913 njofton se ka fituar performancat sportive të Eljon Toçit në mënyrë të përkohshme nga ACF Fiorentina. Toçi, i lindur në Dibër në Shqipëri më 9 janar 2003, është një sulmues qendror që bëri debutimin e tij profesional në moshën 17-vjeçare me fanellën e Südtirolit. Me skuadrën e Tirolit të Jugut, në vitin e debutimit të tij profesionist, ai bëri 4 paraqitje. Në vitin pasardhës kaloi te Fiorentina, ku grumbulloi 86 paraqitje dhe 18 gola me skuadrën Primavera.

Toçi gjithashtu krenohet me një thirrje në Serie A, për ndeshjen Lacio-Fiorentina (tetor 2021). Në korrik 2023 ai shkoi në huazim te Sestri Levante, me të cilin bëri 12 paraqitje ndërmjet kampionatit të Serisë C (grupi B) dhe Kupës së Serisë C të Italisë. Sulmuesi i ri i lindur në vitin 2003 kishte veshur edhe fanellën e kombëtares shqiptare. Në fakt 17 paraqitje të përgjithshme ndërmjet ekipeve kombëtare U 19, 20 dhe 21. Mirë se vini në Pro Sesto Eljon, me urimet më të mira për një vazhdim të sezonit plot kënaqësi!“, ka njoftuar klubi Pro Sesto. /Sport Ekspres/


Shtuar 13.01.2024 14:01