Manchester United dhe Liverpooli i kanë ndarë pikët në barazimin 2-2 në derbin e luajtur në kuadër të javës së 32-të në Ligën Premier.
Ndeshja nisi fuqishëm, me dy skuadrat që kishin nga një rast të qind për qindt, por që nuk arritën t’i konkretizonin.
Liverpooli nuk gaboi më, duke kaluar në epërsi me golin e Luiz Diaz, që u asistua prej Darwin Nunez në minutën e 23-të.
Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa në 45 minutat e dytë kishte edhe më shumë spektakël.
Në minutën e 50-të, Bruno Fernandez përfitoi nga një gabim në mbrojtjen mysafire, duke shënuar nga gjysma e fushës në portën e The Reds, me portierin që kishte lëshuar vendin e tij.
Për të përmbysur shifrat u përkujdes Kobbie Mainoo (67’), që realizoi me një super goditje, pas asistimit të Aaron Wan-Bissakas).
Wan Bissaka më pas u bë fytyra tragjike e vendasve, pasi shkaktoi penallti në Harvey Elliott.
Përgjegjësinë për të gjuajtur e mori Mohamed Salah, që realizoi në minutën e 84-të për 2-2.
Pas javës së 32-të, Liverpooli ka rënë në vendin e dytë me 71 pikë, aq sa ka edhe Arsenali, ndërsa Manchester United është në të gjashtin me 49 sosh. /Telegrafi/