“Special Olimpics Albania”, për herë të parë në Lojrat Olimpike Speciale Dimërore

Special Olympics Albania hedh një tjetër hap të rëndësishëm, duke siguruar për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Speciale Dimërore, të cilat do të mbahen në Torino nga data 8 deri në 15 mars.

Shqipëria do të përfaqësohet në këto Lojëra Speciale me 6 sportistë, të cilët do të garojnë në tri disiplina të ndryshme të sporteve dimërore, në një Olimpiadë ku mesazhet e përcjella nga atletët me aftësi të kufizuara intelektuale, lënë totalisht në plan të dytë rezultatet e tyre.

E pikërisht për të promovuar e mbështetur delegacionin e Special Olympics Albania, në ambientet e Kryeministrisë, (Qendra për Hapje dhe Dialog), nën përkujdesjen e Coca Cola Boatling Albania, u organizua një event gjithëpërfshirës, ku morën pjesë personalitete të ndryshme të sportit e politikës, por edhe atletët specialë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Torino.

Në fjalën e tij, Drejtori Kombëtar i Special Olympics Albania, Roland Hysi falënderoi të pranishmit, por edhe kompaninë Coca Cola Boatling Albania për mbështetjen e pakufizuar, teksa përsëriti apelin që të gjithë të angazhohen edhe më shumë në mbështetje të sportistëve specialë në Shqipëri dhe eventeve të organizuara nga dhe për ta.

Lojërat Olimpike Speciale Dimërore “Torino 2025” do të ngrenë siparin me ceremoninë hapëse më 8 mars dhe do të mbyllen më 15 mars, teksa ashtu si në Lojërat Olimpike Speciale Botërore të Berlinit në 2023-shin, kur arritën të marrin 6 medalje, sportistët e Special Olympics Albania do të valëvitin krenarisht flamurin kuqezi dhe pse jo, të tentojnë edhe rezultate të tjera inkurajuese.


Shtuar 21.02.2025 21:33