Sir Alex Ferguson “nuk i foli asnjëherë” Wilfried Zahas, i cili ishte blerja e tij e fundit si trajner i Manchester United.
Ferguson e transferoi Zahan nga Crystal Palace në janar të vitit 2013, para se të pensionohej nga futbolli në maj të atij viti.
Zaha më pas u huazua për pjesën e mbetur të sezonit dhe iu bashkua Unitedit në verë, të cilët tashmë kishin emëruar David Moyesin si trajner.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë bëri vetëm katër paraqitje për Unitedin dhe u rikthye përsëri tek Palace 18 muaj më vonë.
Neil Warnock luajti një rol të madh në rikthimin e Zahas në “Selhurst Park” dhe ishte i befasuar për faktin se “Djajtë e Kuq” nuk i dhuruan atij hapësirë.
Ai gjithashtu ishte i befasuar për faktin se Ferguson asnjëherë nuk pati një bisedë sy me sy me Zahan, teksa u pajtua se ai mund të kishte qenë një lojtar i madh për Unitedin në të ardhmen.
“E transferova atë kur kalova tek Crystal Palace. Ai ishte gjithmonë i dashur aty. Do të doja ta shihja që të shkonte në një klub tjetër të madh”.
“Kur ai u rikthye tek unë pasi e riktheva në klub, e kujtoj kur isha duke biseduar me të në zyrën e shefit”.
“I thashë atij, ‘A keni pasur raporte të mira me Sir Alex?’ dhe ai më tha, ‘Ai nuk më ka folur asnjëherë’”, u shpreh Warnock.
Zaha riktheu karrierën e tij në vijë pasi u rikthye në mënyrë permanente tek Palace në 2015. Ai kaloi edhe tetë vite të tjera në Ligën Premier, para se të largohej përfundimisht në verën e vitit 2023.
Ai iu bashkua Galatasarayt si lojtar i lirë, duke ndihmuar ekipin turk që të fitojë ligën në sezonin e tij debutues në Turqi, duke shënuar gjithashtu golin e tij të parë në Ligën e Kampionëve në “Old Trafford” në fitoren me rezultat 3-2 ndaj Manchester United./Telegrafi/