Enea Mihaj ishte një nga shtatë lojtarët që trajneri Silvinjo nuk aktivizoi në asnjë nga tre ndeshjet e EURO 2024 të Shqipërisë. Por nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, qendërmbrojtësi tregoi se ishte mirënjohës për mundësinë që iu dha të ishte pjesë e këtij aktiviteti.
“Mbrëmë përfundoi rrugëtimi ynë në Euro 2024, për fat të keq nuk arritëm të kalojmë në raundin tjetër që ishte synimi ynë, pavarësisht vështirësive që kishte grupi. Personalisht, ndihem mirënjohës që pata mundësinë ta jetoj këtë përvojë edhe nëse nuk arrita te kem minuta ne fushe.
Nuk po ju fsheh që tashmë po mendoj për ndeshjet e radhës dhe kjo më jep motivim. Më në fund dhe më e rëndësishmja, ne mund të mos kemi arritur aq larg sa kemi dashur, por ju, Tifozët tanë, jeni fituesit e këtij kompeticionit. Ju u dëgjuat në gjithë Gjermaninë, na mbështetët me pjesëmarrjen tuaj të paparë”, shkruante Mihaj në postimin e tij.