Shuma e madhe e parave që Barcelona duhet të paguajë nëse duan ta emërojnë De Zerbin trajner

Barcelona po ballafaqohet me një ‘betejë financiare’ në përpjekjet e tyre për të emëruar Roberto De Zerbin si trajnerin e tyre më të ri gjatë verës.

Xavi Hernandez do të largohet nga pozita e tij në fund të sezonit aktual dhe tashmë drejtuesit e klubit kanë nisur kërkimet për të sjellur zëvendësuesin e tij.

Gjiganti katalanas ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht planet e tyre për zëvendësimin e Xavit, por një listë e ngushtë e emrave është hartuar nga ata.

Në mesin e kandidatëve potencialë është edhe trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi, i cili ka marrë vëmendjen e të gjithëve me stilin e lojës që ai po e aplikon.

De Zerbi kishte mohuar thashethemet se ai do të largohet, por ka pranuar se një vendim final nga ai do të merret në muajt në vazhdim. Sipas përditësimit të fundit nga Diario Sport, pengesa kryesore është aspekti financiar, ndërsa italiani ka kontratë me Brightonin deri në 2026.

Për lirimin e tij nga pozita Brightoni do të kërkojë plotë 15 milionë euro, pra aktivizimin e klauzolës së tij të lirimit, ndërsa vlen të theksohet se edhe Liverpooli mund ta konsiderojë atë si opsion për ta zëvendësuar Kloppin.

Momentalisht Barcelona nuk janë në një pozicion të favorshëm për të paguar këtë shumë të parave dhe me shumë mundësi do të negocionin me klubin anglez për të ulur çmimin./Telegrafi/


Shtuar 3.03.2024 18:30