Pas interesimit të shfaqur nga Tottenham, një tjetër skuadër nga Liga Premier ka shprehur interesim për kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani.
Sipas raportimeve nga mediat italiane dhe britanike, Aston Villa ka bërë një ofertë zyrtare për qendërmbrojtësin e Napolit, i cili është shumë i pëlqyer nga trajneri Unai Emery.
Megjithëse detajet e ofertës nuk janë bërë publike, raportohet se Rrahmani është joshur nga mundësia për të luajtur në Angli dhe për të provuar veten në elitën e futbollit anglez. Kalimi i tij te Aston Villa do të ishte një hap i madh në karrierën e 31-vjeçarit.
Sidoqoftë, largimi nga Napoli nuk pritet të jetë i lehtë, pasi trajneri Antonio Conte e konsideron Rrahmanin si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes.
Në sezonin e fundit, ku Napoli fitoi titullin kampion në Serie A, Rrahmani ishte titullar i padiskutueshëm, duke luajtur të gjitha 38 ndeshjet e kampionatit.
Qendërmbrojtësi kosovar ka qenë pjesë e Serie A që nga viti 2019 dhe iu bashkua Napolit në vitin 2020 nga Hellas Verona.
Me skuadrën napolitane, ai ka fituar dy tituj kampion dhe është vlerësuar për lojën e tij të fortë dhe organizimin e mbrojtjes. Tani, mbetet për t’u parë nëse Napoli do të pranojë ofertën e Aston Villas apo do ta mbajë kapitenin e Kosovës në “Diego Armando Maradona”.