Shqipëria në play-off/ Silvinjo i detyruar të mos aktivizojë më të besuarit ndaj Anglisë, humbi edhe golashënuesin ndaj Andorrës

Kombëtarja shqiptare e futbollit, ka siguruar praninë në play-off të Botërorit 2026 dhe tashmë mund të mendojë e qetë për ndeshjet e marsit, pa u shqetësuar për sfidën përballë Anglisë.

Ndërsa për trajnerin Silvinjo, një zgjedhje duket e qartë, ajo e mos rrezikimit të futbollistëve që mund të pezullohen për gjysmëfinalen e play-off nëse ndëshkohen me karton të verdhë përballë ”tre luanëve”.

Të lidhura

None found

Mario Mitaj, Juljan Shehu dhe Rei Manaj, ishin të ndëshkuar me të verdhë që para ndeshjes së djeshme, pasi i kishin marrë ndaj Serbisë.

Ndaj Andorrës, erdhën edhe kartona të verdhë për Arlind Ajetin dhe Nedim Bajramin, me këtë të dytin i cili e mori për vonesa të kota loje.

Të pesë këta lojtarë, nëse ndëshkohen me karton të verdhë ndaj Anglisë, do të humbasin sfidën e parë në mars, ndaj është e qartë se për çdo trajner, do të ishte më e arsyeshme që t’i linte ata pushim në ndeshjen e të dielës.

Sigurisht, kjo mund të ndryshojë cilësinë e lojës së kuqezinjve, por duke mos pasur stresin e rezultatit, logjika dikton që Silvinjo të jetë i detyruar të mos rrezikojë më kot futbollistët në fjalë.


Shtuar 14.11.2025 08:18