Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së dytë miqësore, ndaj Suedisë që do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin “Friends Arena”, në Stokholm.
“E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, pas kthimit në Tiranë do të shohim edhe opsionet për listën e Europianit. Kemi bërë një rrugëtim të bukur, por tani kemi 2 miqësore ku duhet të provojmë sa më shumë lojtar. Lojtarët mendojnë për listën, patjetër, por duhet të japin maksimumin në fushën e lojës. Ne punojmë si një ekip e jo individualisht. Trajneri bën vlerësimet për të gjithë.
Suedia ishte kundërshtar që e donim, skuadër e fortë. Pamë edhe fotot në muret e stadiumit, lotjarë të mëdhenj si Ljunberg, Larsson, Ibrahimovic që tregojnë qartë historinë e këtij vendi. Na pret një ndeshje shumë e fortë.
Punojmë si një skuadër, nesër të jemi të gatshëm për të përballuar një kundërshtar të nivelti të lartë. Lojtarët janë të motivuar. Përballë kemi një kundërshtar të vështirë siç ishte Kili. E kishim kërkuar vetë. Lojtarët janë të karikuar, kemi bërë një fushatë kualifikuese shumë të mirë. Të përgatitemi sa më mirë për Europianin. Sigurisht ka rëndësi edhe rezultati, por ne na intereson të përdorim sa më shumë lojtarë. Lojtarët janë pak në ankth për listë, është normale.
Nesër mund të ketë ndryshime në formacion. Ne jemi një skuadër e re, Mitaj, Mihaj, Seferi, Ramadani, Asllani janë lojtarë që i kanë luajtur apo jo 10 ndeshje me Kombëtaren. Jemi skuadër që rritemi dita-ditës, nuk është fokusi te 1 apo 2 lojtarë. Duhet t’i japim eksperiencë një ekipi që është krijuar vitet e fundit. Mitaj është i frikshëm, ka 10 ndeshje, 20 vjeç dhe luan shkëlqyeshëm. Kemi Asllanin që luan te Interi dhe po mëson, me ne luan shkëlqyer.
Nuk mund të bëjmë 4-5 ndryshime e të hedhësh ekipin në fushë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne do t’i vëzhgojmë lojtarët në stërvitje, Kombëtarja nuk është klub që stërvitet gjithë javës, eksperimenton, këtu kemi pak kohë në dispozicion. Nuk mendojmë se jemi në gjëndje të bëjmë 4-5 ndryshime.
Nesër do të marrim vendimin për titullarët. Me Kilin u mposhtëm 3-0, por futbolli kështu është. Nuk mendoj se ishte rezultati i duhur, ashtu siç fituarm 3-0 me Çekinë. Duhet ta lëmë pas. Shqipëria ka një nga mbrojtjet më të mira të Europës, e pamë në kualifikuese. Kemi një ekip solid. Nëse pësojmë 3 gola nuk është vetëm faji i mbrojtjes. Duhet të shohim gjendjen e lojtarëve për të marrë vendimet e duhura për formacionin.
Broja në krahun e djathtë? E shohim nesër…
Plan B për formacionin kur ndeshja nuk po shkon siç duhet? Normale të provosh, por dueht të jemi të sigurtë për ndryshimet që bëjmë. Kur humbet nëj ndeshje faji i hidhet gabimeve taktike. Ne luajtëm me 4-3-3, 4-2-3-1. Duhet të jemi të kujdesshëm kur bëjmë ndryshime, jo thjesht sepse humbëm një ndeshje. Varet nga karakteristikat e lojtarëve.
Humbja ndaj Kilit? Janë pak ditë për të analizuar, duhet të shohim gjendjen e lojtarëve të rishikojmë gjithçka. Kur të kthehemi në Tiranë do të kemi më shumë kohë për analiza dhe përgatitje. Nesër luajmë ndaj Suedisë dhe do të jetë një ndeshje e bukur”, tha Sylvinho.