Shqipëria drejt SHBA/ Sot mëson rivalët e mundshëm të Botërorit 2026, çfarë duhet të dini para shortit

Këtë të premte në orën 18:00, do të hidhet shorti për fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026. Për herë të parë në histori, kuriozë do të jemi edhe ne, pasi do të kemi shansin tonë për të qenë në Kupën e Botës.

Në godinën e “Kennedy Center” në Uashington, do të ketë nesër vëmendjen e gjithë botës, pasi aty do të vendoset rrugëtimi i skuadrave pjesëmarrëse, apo aspirantë në rastin e Shqipërisë, në Botërorin 2026.

Shqipëria do të luajë shansin e saj të fundit në muajin mars, ku fillimisht do të përballet me Poloninë në gjysmëfinale, e më pas do të ketë në finalen e madhe fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

SHORTI- Për shortin në Uashington, do të jenë 4 vazo me nga 12 ekipe në secilën vazo. Në total do të jenë 48 skuadra, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra secili grup. Fillimisht, do të merren të gjitha goglat nga vazoja e parë dhe do të ndahen në grupe të ndryshme, që nga Grupi A, deri në Grupin L.

Më pas, do të merren goglat nga vazoja e dytë e kështu me radhë deri në vazon e katërt ku bën pjesë edhe Shqipëria në rast se arrin të sigurojë një biletë për në Botërorin e vitit të ardhshëm që do të zhvillohet në Amerikë, Meksikë e Kanada.

FORMATI- Për herë të parë në histori, do të jenë 48 skuadra në fazën finale të një Botërori duke qenë se më parë kanë qenë 32 skuadra, duke shtuar në këtë mënyrë shanset që 16 skuadra të tjera të kualifikohen.

Kjo i ka dhënë mundësi më shumë ekipeve që të provojnë për herë të parë Botërorin dhe natyrisht nuk mungojnë risitë dhe surprizat. Aktualisht, janë kualifikuar plot 42 skuadra dhe kanë mbetur edhe 6 vende të lira, nga të cilat 4 do të jenë nga “Play Off” i Europës.

SHQIPËRIA- Kuqezinjtë për herë të parë kanë arritur të renditen në vendin e dytë në kualifikueset e Botërorit, çka i jep mundësinë që të jetë në “Play Off” për të tentuar një biletë.

Shqipëria vinte nga një grup shumë i vështirë me Anglinë e Serbinë mes të tjerash, por fitoret e marra, sidomos ajo në Leskovc, e mundësuan që Shqipëria të kualifikohej.

Si në “Play Off”, ashtu edhe në Botëror nëse Shqipëria shkon, pritet të ketë një grup të vështirë duke qenë se pozicionohet në vazon e katërt dhe teorikisht, të tria ekipet që do të kemi në grup, do të jenë më të forta. Me pak fat, Shqipëria mund të peshkojë kundërshtarë më të lehtë të paktën në letër dhe të shmangë emra të mëdhenj, me të cilët sigurisht që do të ishte luks të luash.